Po të vëmë re përparimin e njerëzisë në të tëra kombet, shohim se ky përparim i madh që duket sot kaq i fortë, sa lufton në tokë, në ujë, nën ujë, në erë, ka lindur nga një luftë e rreptë që ka ngjarë midis mendjes, diturisë që është fryt i saj dhe tradicioneve, d.m.th. të dëgjuarat që kanë mbetur nga pleqtë brez pas brezi dhe fesë që është një tradicion. E tërë historia njerëzore është plot me këto luftra. Në kohët e para ka zotëruar feja dhe në kohërat e pastajme mendja dhe dituria, duke u mbështetur mbi provime. Kur u lirua mendja e njeriut fare dhe plotësisht, atëherë përparimi mori një bujë të madhe, sa arriti në shkallën e sotme. Por kjo luftë, në mes të mendjes dhe të feve, njerëzisë i ka kushtuar shumë, se ka dhënë shumë dëshmorë, derisa mori zotërimin e botës në dorë mendja dhe dituria.